Në kuzhinat shqiptare zakonisht përdoreshin enë balte, prej druri dhe prej bakri për gatimin e ushqimit, pjekjen e bukës dhe ruajtjen e bylmeteve. Përdorimi më shumë i njërit grup apo tjetrit varej nga forca ekonomike e familjes dhe nga mjedisi gjeografik i vendosjes së objektit. Në familjet e varfëra fshatare mbizotëronin enët prej druri dhe ato prej balte. Raporti i tyre ndryshonte varësisht nga vendodhja e fshatrave. Në zonat malore mbizotëronin enët prej druri si në ato të ngrenies, të bylmetit apo ato të ruajtjes së zahireve (ushqimet e konservuara). Në zonat fushore mbizotëronin ënët prej balte si ato që përdoreshin për ngrënie dhe për ruajtjen e ushqimit, ato për mbajtjen e bulmetit dhe enët e ujit. Rrallë ndonjë enë mund të ishte prej druri apo prej bakri. Në familjet me të ardhura mesatare dhe për më shumë në familjet e pasura, mbizotëronin enët prej bakri dhe ato prej porcelani. Edhe mobilimi i mjediseve të përdorura për fjetje ndryshonte sipas pozicionit gjeografik dhe forcës ekonomike të familjes. Zakonisht këto mjedise ishin mjaft të thjeshta. Në zonat malore me klimë të ftohtë antarët e familjes flinin në shtretër prej druri mjaft të thjeshte të shtruar me fier të thatë ose me kashtë, të mbuluara me plafe prej leshi. Në zonat fushore të Shqipërisë së mesme dhe sidomos në Myzeqe flinin në shtroje të vendosura mbi dysheme. Në qytete këtyre mjediseve u kushtohej më shumë vëmendje, duke i paisur me shtretër, me dyshek dhe çarçafë të endur në avlëmend shtëpish. Njëkohësisht me këto mjedise zinin vend dhe baule të madhësive të ndryshme, ku ruheshin rrobat e çiftit dhe të fëmijve të tyre. Kujdes më i veçantë u kushtohej dhomave të caktuara për pritjen e miqve. Në disa raste ato ambjente u ngjanin ekspozitave të vogla etnografike në të cilat mund të admiroje llojet e shtrojeve më të mira, si qilima, sexhade, velenca, jastekë etj; gdhendje të ndryshme në dru si tavanet, kapakët e dollapeve, trapazanët etj, etj. Perveç këtyre në këto dhoma gjithnjë ishin të pranishme enë të ndryshme prej bakri apo prej balte e porcelani, takëmi i kafesë, instrumentet popullor të krahinës, armë të varura në mur etj. Veçanërisht në qytete dhomat e miqve shquheshin për paisjet e shumta e të punuara me mjeshtri, sidomos në familjet e pasura, mund të shiheshin mobilje e paisje të ardhura nga qendrat e zhvilluara të vendeve evropiane si dhe nga vendet e Lindjes. Të gjitha këto mjedise dhe paisje të tjera ishin pjesë e mënyrës së jetesës të krahinave të ndryshme shqiptare. Ndërkohë edhe veglat e punës të përdorura nga bujqit, blegëtorët apo zanatçinjtë e ndryshëm, pasqyrojnë mënyrën e jetesës.